Policia e Kosovës ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për gjetjen e Xhafer Raqit, i cili është raportuar i zhdukur më 2 korrik 2026 në Prishtinë.

Sipas njoftimit të Policisë, Raqi, i lindur në vitin 1948, vazhdon të jetë i zhdukur, pavarësisht kërkimeve dhe veprimeve të shumta të ndërmarra që nga dita kur është raportuar rasti.

Në operacionin e kërkimit janë angazhuar njësitet policore të hetimeve, Njësiti për Kërkim-Shpëtim i FSK-së dhe patrullat policore, në koordinim me Prokurorinë dhe në bashkëpunim me familjarët.

Gjatë kësaj periudhe janë intervistuar persona që mund të kenë informacione për vendndodhjen e tij, janë kontrolluar hyrjet dhe daljet në të gjitha pikat kufitare, si dhe janë zhvilluar kërkime në zona dhe ambiente që ai frekuentonte zakonisht.

Policia ka bërë të ditur se është analizuar dhe hetuar çdo informacion që mund të lidhet me rastin, ndërsa kërkimet për gjetjen e tij janë ende duke vazhduar.

Pas marrjes së autorizimit nga prokurori i shtetit, Policia ka kërkuar edhe ndihmën e qytetarëve.

Të gjithë personat që kanë informacione që mund të ndihmojnë në gjetjen e Xhafer Raqit janë ftuar t’i përcjellin ato në Policinë e Kosovës përmes numrit 192 ose adresës elektronike të Policisë.