Një marrëveshje për shitjen e një Golf 7 në Prishtinë ka marrë një kthesë të pazakontë: pronari pretendon se ia dorëzoi veturën një 33-vjeçari me marrëveshje verbale për 12,800 euro, ndërsa më vonë përfundoi duke i dhënë të njëjtit person edhe 4,600 euro hua.
Premtimet, sipas denoncimit, vazhduan përmes mesazheve: “nesër, më së largu pasnesër”. Paratë pretendohet se nuk erdhën, komunikimi u ndërpre, ndërsa gati dy vjet më vonë rasti përfundoi në Polici.
Sinjali ka mësuar se personi i arrestuar nën dyshimin për mashtrim është Hakif Krasniqi, 33-vjeçar, i cili tashmë është ndaluar për 48 orë me vendim të Prokurorit të Shtetit.
Gjithçka, sipas informacioneve që ka Sinjali, kishte nisur në tetor të vitit 2024.
I dëmtuari kishte arritur marrëveshje verbale me Krasniqin për shitjen e veturës Golf 7, me çmim prej 12 mijë e 800 eurosh.
Sipas deklaratës së dhënë para hetuesve, Krasniqi kishte kërkuar që veturën ta merrte menjëherë, duke premtuar se pjesën tjetër të pagesës do ta përfundonte brenda një kohe të shkurtër.
Për veturën pretendohet se fillimisht kishte dhënë 3 mijë euro.
Por më pas ndodhi ajo që e bën rastin edhe më të pazakontë.
Sipas denoncimit, personi që ende kishte obligime për Golf-in, pas një kohe i kërkoi pronarit të veturës edhe 4,600 euro hua, duke i thënë se i duheshin urgjentisht.
I dëmtuari pretendon se ia dha edhe ato.
Më pas, sipas versionit të tij të paraqitur para organeve të rendit, nuk u takuan më.
Kontakti vazhdoi përmes mesazheve, ku 33-vjeçari pretendohet se vazhdimisht e siguronte se çështjen do ta rregullonte.
“Nesër, më së largu pasnesër”, ishin premtimet që, sipas denoncimit, përsëriteshin.
Por ditët kaluan dhe, sipas të dëmtuarit, në një moment Krasniqi pushoi së përgjigjuri.
Rasti u raportua më 26 gusht 2026 në Stacionin Policor në Prishtinë, ndërsa hetuesit e Drejtorisë së Policisë së Kryeqytetit nisën veprimet hetimore.
Katër ditë më vonë, më 30 gusht, Policia arriti ta sigurojë prezencën e të dyshuarit.
Hakif Krasniqi është intervistuar në praninë e avokatit mbrojtës.
Pas intervistimit, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim për ndalimin e tij për 48 orë, ndërsa rasti po trajtohet për veprën penale “Mashtrimi”.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.