Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për grabitjen e filialit të kompanisë “RIA” në rrugën “Anton Çeta” në Gjakovë, rast për të cilin Gazeta Sinjali raportoi ekskluzivisht më 11 tetor.
Sipas njoftimit të Policisë, grabitja ishte raportuar më 10 tetor 2026, kur nga një filial i një kompanie ishte marrë një shumë e konsiderueshme parash nën kërcënim.
Burimet e Sinjalit raportuan se personi i dyshuar, i maskuar dhe i armatosur me thikë, kishte hyrë në filialin e “RIA”-s rreth orës 15:10 dhe e kishte kanosur punëtoren, duke i kërkuar t’ia dorëzonte të gjitha paratë.
Sipas deklarimit të viktimës, nga frika dhe paniku ajo nuk kishte arritur të reagonte, ndërsa i dyshuari kishte marrë vetë paratë nga dollapi ku mbaheshin. Sipas informatave fillestare, shuma e grabitur dyshohej të ishte deri në 8 mijë euro para të gatshme.
Pas grabitjes, i dyshuari ishte larguar në drejtim të panjohur, ndërsa njësitë relevante policore kishin nisur veprimet hetimore për identifikimin dhe lokalizimin e tij.
Policia ka bërë të ditur se, pas një pune ekipore hetimore, zyrtarët e Sektorit të Hetimeve në Gjakovë kanë arritur ta identifikojnë, lokalizojnë dhe arrestojnë të dyshuarin, mashkull i moshës madhore.
Pas intervistimit, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, ndaj tij është iniciuar rasti për veprën penale “Grabitje” dhe është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.