Një incident serioz ka ndodhur të shtunën mbrëma në “Mobi Shop Qendra”, në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Prishtinë, ku një shtetas turk dyshohet se ka kërcënuar dy persona me një mjet të mprehtë, raporton ekskluzivisht Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se i dyshuari është Izzet Canik, 25-vjeçar, shtetas i Turqisë, i cili është arrestuar nga Policia dhe më pas është dërguar në mbajtje.
Rasti është raportuar më 29 gusht, rreth orës 22:10, kur Policia është njoftuar për një kanosje në rrugën “Dëshmorët e Kombit”.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, Canik dyshohet se kishte vendosur maskë në fytyrë dhe kishte hyrë në lokalin “Mobi Shop Qendra”, ku ndodheshin ankuesi dhe një person tjetër.
Aty dyshohet se ka nisur një mosmarrëveshje, e cila më pas ka eskaluar.
Ankuesi dhe dëshmitari kanë deklaruar para Policisë se 25-vjeçari kishte një mjet të mprehtë në dorë, të cilin ua kishte drejtuar duke i kërcënuar.
Pas raportimit, njësitë policore kanë dalë në lokacion, ku kanë hasur të dyshuarin, ankuesin dhe dëshmitarin.
25-vjeçari është shoqëruar në stacion, por Policia nuk ka mundur ta intervistojë menjëherë për shkak të mungesës së përkthyesit të gjuhës turke.
Atij i është siguruar avokat mbrojtës sipas detyrës zyrtare, ndërsa familjarët e tij janë njoftuar për ndalimin.
Për rastin është kontaktuar Prokurori kujdestar, me udhëzim të të cilit është iniciuar rasti për veprën penale “Kanosja”.
Me vendim të Prokurorit, Izzet Canik është ndaluar për 48 orë dhe është dërguar në Qendrën e Mbajtjes.
Rasti vazhdon të trajtohet nga organet kompetente.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.