Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka nisur hetim pas raportimeve në media dhe deklaratave publike të ditës së djeshme, lidhur me pretendimet se një qytetar me inicialet N.R. është rrahur nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës në Dren të Zubin-Potokut.

Sipas njoftimit të IPK-së, hetimi ka për qëllim verifikimin e këtyre pretendimeve dhe sqarimin e të gjitha fakteve dhe rrethanave që lidhen me rastin, përkatësisht me veprimet policore gjatë një operacioni të zhvilluar në Dren.

IPK-ja ka theksuar se hetimi nuk paragjykon rezultatin e rastit dhe se në këtë fazë do të mblidhen e vlerësohen të gjitha informacionet dhe provat në dispozicion.

“Duke mos paragjykuar rezultatin e hetimit, qëllimi i kësaj faze është mbledhja dhe vlerësimi i të gjitha informacioneve dhe provave të disponueshme në përputhje me mandatin ligjor të Inspektoratit”, thuhet në njoftim.

Inspektorati ka bërë të ditur se do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale brenda kompetencave të tij.

Këto veprime përfshijnë bashkëpunimin me institucionet përkatëse, sigurimin e dokumentacionit dhe informacioneve zyrtare, si dhe intervistimin e personave që mund të kenë njohuri për incidentin.

IPK-ja ka theksuar se do t’i trajtojë me seriozitet pretendimet që lidhen me sjelljen e zyrtarëve policorë.

“Çdo ankesë apo informacion me lidhur me pretendimet që kanë të bëjnë me sjelljen e zyrtarëve policorë trajtohet nga IPK me seriozitetin më të lartë”, vijon njoftimi.