Një rast i dyshuar i ngacmimit mes bashkëshortëve ka vënë në lëvizje Policinë në Prishtinë, pasi një grua ka denoncuar bashkëshortin e saj, me të cilin aktualisht jeton e ndarë, duke pretenduar se ai po e përcjell dhe përndjek, merr vesh Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se rasti është iniciuar më 4 shtator, ndërsa i dyshuari është N.S, 46 vjeçar.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, gruaja ka deklaruar në Polici se, ndonëse vazhdojnë të jenë ligjërisht në lidhje martesore, aktualisht nuk jetojnë bashkë.
Ajo pretendon se gjatë kësaj periudhe bashkëshorti po e përcjell dhe përndjek, situatë e cila, sipas deklarimit të saj, po i shkakton presion psikik.
Rasti dyshohet se lidhet me një incident në rrugën “Gustav Majer” në Prishtinë, ndërsa pas denoncimit është intervistuar edhe bashkëshorti i saj.
Për të gjitha veprimet është konsultuar Prokurori i Shtetit nga Departamenti i Përgjithshëm, me udhëzimin e të cilit rasti është iniciuar për veprën penale “Ngacmim”.
Pas intervistimit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Në trajtimin e rastit janë përfshirë edhe Qendra për Punë Sociale dhe Njësia për Mbrojtjen e Viktimave.