Një rast i kanosjes është raportuar të mërkurën në Policinë e Kosovës në Mitrovicë të Veriut, ku një grua ka denoncuar ish-bashkëshortin e saj, pasi pretendon se ka marrë prej tij një mesazh me përmbajtje serioze kërcënuese, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se bëhet fjalë për D. M., 47-vjeçare, e cila rreth orës 12:30 është paraqitur në Stacionin Policor në Mitrovicë të Veriut dhe ka raportuar ish-bashkëshortin e saj, M. M., 46-vjeçar.
Sipas informacioneve të para, kërcënimi dyshohet se është bërë disa orë më herët, rreth orës 02:26 të mëngjesit, përmes një mesazhi telefonik.
Në mesazhin që gruaja ia ka prezantuar Policisë, ish-bashkëshorti dyshohet se e ka kërcënuar se do t’ia thyente derën dhe do t’ia vendoste thikën në fyt.
“Kam me ta thye derën dhe kam me ta vu thikën në fyt”, është përmbajtja e kërcënimit të raportuar në Polici.
Pas denoncimit, për rastin është njoftuar Prokurori kujdestar, i cili ka autorizuar inicimin e rastit penal “Kanosje”.
Rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.