Një 28-vjeçar ka përfunduar në prangat e Policisë gjatë një aksioni të Njësisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN), pasi iu gjet një sasi e marihuanës në çantën që mbante me vete.
Sinjali mëson se i dyshuari është Bezad Mullabaz 28 vjeçar
Sipas burimeve, rasti ka ndodhur mbrëmjen e 4 gushtit, rreth orës 22:05, në rrugën “Gëzim Hamza” në Rahovec, gjatë zbatimit të planit operativ “Vera 2026”.
Gjatë kontrollit trupor, zyrtarët policorë kanë gjetur në çantën e belit të të dyshuarit një sasi të substancës së dyshuar narkotike të llojit marihuanë, të mbështjellë me folie alumini.
Substanca është sekuestruar në cilësinë e provës materiale dhe, pas peshimit, ka rezultuar të jetë 0.51 gram.
Pas shoqërimit në Stacionin Policor në Rahovec dhe intervistimit, me autorizim të Prokurorit të Shtetit nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, ndaj Bezad Mullabazit është iniciuar procedurë për veprën penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.
Me urdhër të Prokurorit, ai është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti do të trajtohet në procedurë të mëtejshme penale.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.