Për më pak se dy muaj, tre punëtorë kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve në vendin e punës në Korporatën Energjetike të Kosovës, duke ngritur shqetësime serioze për kushtet e sigurisë dhe masat që po ndërmerren për mbrojtjen e punëtorëve.

Rasti i parë kishte ndodhur më 8 korrik, kur punëtori Milazim Binaku kishte pësuar lëndime të rënda gjatë kryerjes së detyrave në Fabrikën e Pajimeve Xehtare në Palaj.

Pas disa ditësh trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Binaku nuk kishte arritur t’u mbijetonte lëndimeve, ndërsa vdekja e tij ishte konfirmuar më 16 korrik.

Një muaj më vonë, më 16 gusht, një tjetër punëtor i KEK-ut, Haxhi Gojnovci, humbi jetën në vendin e punës. Sipas njoftimit të Korporatës, aksidenti kishte ndodhur derisa ai po lëvizte në zonën e ekskavatorit.

Vetëm katër ditë më vonë, më 20 gusht, është shënuar viktima e tretë.

Arbenit Ahmeti humbi jetën pasi, sipas KEK-ut, gjatë angazhimit në transportimin dhe zhvendosjen e kabllove 6 kV kishte rënë në kontakt me tensionin elektrik.

Ai ishte dërguar menjëherë për trajtim në Ambulancën e Obiliqit, por nuk kishte arritur t’u mbijetonte lëndimeve.

“Sipas informatave fillestare, gjatë angazhimit në transportin dhe zhvendosjen e kabllove 6 kV, ai ka rënë në kontakt me tensionin elektrik dhe ka pësuar lëndime të rënda. Menjëherë pas ngjarjes janë ndërmarrë veprimet emergjente dhe punonjësi është dërguar për trajtim mjekësor në Ambulancën e Obiliqit. Pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, fatkeqësisht ai nuk ka arritur t’u mbijetojë lëndimeve të marra”, kishte njoftuar KEK-u.

Tri vdekje brenda një periudhe kaq të shkurtër kanë shtuar pikëpyetjet për sigurinë e punëtorëve në KEK, funksionimin e mekanizmave të kontrollit dhe masat parandaluese në vendet me rrezik të lartë.

Deputetë nga LDK, PDK dhe AAK kanë ngritur shqetësime për sigurinë në punë, kushtet e punëtorëve dhe numrin e pamjaftueshëm të inspektorëve.

Ndërkohë, deri më tani nuk është bërë publik ndonjë reagim i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, lidhur me tri rastet e vdekjes së punëtorëve të KEK-ut. Kjo ka marrë vëmendje edhe për faktin se Kurti kishte reaguar publikisht për një incident në Vlorë, ku disa pushues u lënduan pas përfshirjes së një hoteli nga zjarri.

Rastet e fundit kanë rikthyer në vëmendje nevojën për mbikëqyrje më të fortë të sigurisë në punë dhe përgjegjësi institucionale për parandalimin e aksidenteve me pasoja fatale.