Gazetari Milaim Zeka ka kërkuar ndihmën e Policisë pasi ka pranuar mesazhe kërcënuese dhe fyese përmes rrjetit social Instagram, mëson Gazeta Sinjali.

Sipas informacioneve të Sinjalit, Zeka është paraqitur të martën, më 1 shtator, rreth orës 08:50, në Stacionin Policor Qendra në Prishtinë, ku ka denoncuar kërcënimet që pretendon se i janë drejtuar nga një llogari në Instagram.

Pas raportimit, gazetari është shoqëruar në zyrat e hetuesve, ku ka dhënë deklaratë lidhur me rastin.

Zeka ka deklaruar se një ditë më parë, më 31 gusht, derisa po përdorte telefonin e tij, kishte vërejtur se nga një llogari në Instagram i kishin ardhur mesazhe me përmbajtje kërcënuese dhe fyese.

Sipas deklaratës së dhënë në Polici, përmbajtja e mesazheve ka bërë që Zeka të ndihet i rrezikuar.

“Ndihem i rrezikuar dhe i kërcënuar nga mesazhet e pranuara”, është në thelb deklarimi i tij para organeve të rendit, sipas informacioneve që posedon Sinjali.

Personi që dyshohet se qëndron prapa llogarisë në Instagram ende nuk është identifikuar.

Për rastin është njoftuar Prokurori kujdestar, i cili ka udhëzuar që çështja të iniciohet si “Kanosje”, ndërsa pritet që hetimet të vazhdojnë për identifikimin e personit që ka dërguar mesazhet dhe zbardhjen e plotë të rastit.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.