Sinjali ka mësuar identitetin e dy personave të dyshuar lidhur me përleshjen e rëndë që ndodhi mbrëmë në Gjilan, rast i cili po hetohet për “Vrasje të mbetur në tentativë” dhe “Lëndim të rëndë trupor”.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se të dyshuarit janë Rashit Beqiri rreth 59-vjeçar dhe Veli Veliu rreth 55-vjeçar, të cilët pas intervistimit janë ndaluar për 48 orë.
Ngjarja ka ndodhur më 11 gusht, rreth orës 23:30, në rrugën “Kuvendi i Gjilanit”, pas një mosmarrëveshjeje mes familjeve Beqiri dhe Veliu.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, konflikti ka eskaluar në përleshje fizike mes Rashit Beqirit dhe Veli Veliut, ku dyshohet se janë përdorur mjete të forta – mjete pune.
Si pasojë, të dy personat e përfshirë kanë pësuar lëndime trupore.
Për shkak të natyrës së ngjarjes, rasti është cilësuar “Vrasje e mbetur në tentativë” dhe “Lëndim i rëndë trupor”.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, hetuesit kanë kontrolluar edhe shtëpitë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarve, me qëllim sigurimin e provave relevante për rastin.
Beqiri dhe Veliu më pas janë shoqëruar në Njësinë e Hetimeve të Përgjithshme në Gjilan, ku janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve, në praninë e avokatëve mbrojtës.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, të dy janë ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të konfliktit.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.