Sinjali ka siguruar identitetet e dy personave të dyshuar për sulmin e rëndë që ndodhi mbrëmjen e 20 shtatorit në Skenderaj, ku mbeti i plagosur 34-vjeçari Jetlum Veliu.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se bëhet fjalë për Driton Gecajn, 41-vjeçar, dhe Gadaf Ahmetin, 43-vjeçar.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, Veliu dyshohet se është sulmuar në pompën e derivateve “Fer Petrol”, në rrugën “Azem Bejta”, ku fillimisht është goditur me mjet të mprehtë në gjoks dhe më pas në këmbën e majtë.
Pas sulmit, dy të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Viktima fillimisht është dërguar në QKMF në Skenderaj dhe më pas është transferuar në Spitalin Rajonal në Mitrovicë të Jugut për trajtim të mëtejshëm.
Njësitet policore kanë kontrolluar vendbanimet e Gecajt dhe Ahmetit, por ata nuk janë gjetur.
Një nga pistat që po hetohet lidhet me angazhimin e viktimës si sekretar i Shoqatës së Gjuetisë “Drenica” dhe me vendosjen e kamerave në zona malore për monitorimin e gjuetisë së paligjshme.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Vrasje në tentativë”.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.