Sinjali ka siguruar identitetet e katër personave të dyshuar lidhur me incidentin e rëndë që ndodhi më 19 shtator në rrugën “Brigada 125” në Prizren, ku gjatë ndërhyrjes mbeti i plagosur edhe zyrtari policor Vehap Morina.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se bëhet fjalë për Lautrim Fanaj, 32-vjeçar, Gjylbear Fanaj, 57-vjeçar, Lavdim Arifaj, 33-vjeçar dhe Ardit Berisha, 24-vjeçar.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, incidenti kishte nisur derisa zyrtari policor po merrej me dy persona në afërsi të “Vrrini Market”, kur në vendngjarje kanë ardhur edhe dy persona të tjerë dhe situata ka eskaluar në përleshje.
Në një moment, njëri prej të dyshuarve dyshohet se kishte armë zjarri në dorë, ndërsa një tjetër mbante thikë.
Gjatë ndërhyrjes për ta vënë situatën nën kontroll, Morina ka arritur t’ua largojë armën dhe thikën nga duart të dyshuarve, por gjatë përballjes është plagosur në dorë me mjetin e mprehtë.
Në vendngjarje janë arrestuar të katër të dyshuarit, ndërsa tre prej tyre po ashtu kanë marrë trajtim mjekësor për lëndimet e pësuara gjatë përleshjes.
Rasti po hetohet në drejtim të veprave penale “Sulm ndaj personit zyrtar”, “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.