Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në takim Gjeneral Major Stephen E. Osborn, Adjutantin e Përgjithshëm të Gardës Kombëtare të Ajovës.
Sipas njoftimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjatë takimit është diskutuar për bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Ajovës, projektet dhe aktivitetet e përbashkëta, si dhe mundësitë për avancimin e mëtejshëm të këtij partneriteti.
Gjeneral Jashari e ka falënderuar Gjeneralin Osborn për vizitën dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm, duke theksuar rëndësinë e partneritetit në zhvillimin profesional dhe operacional të FSK-së.
Në takim janë shkëmbyer gjithashtu qëndrime lidhur me zhvillimet aktuale të sigurisë dhe rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet partnerëve.
Gjatë vizitës, Gjeneral Major Osborn ka vizituar edhe Njësinë e Operacioneve Speciale të FSK-së, ku është njohur nga afër me kapacitetet, zhvillimin dhe aktivitetet e kësaj njësie.
“Në përfundim të takimit, Gjenerallejtënant Jashari shprehu mirënjohjen për Gjeneralin Osborn dhe Gardën Kombëtare të Ajovës për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm, duke vlerësuar lartë partneritetin e ndërtuar ndër vite dhe angazhimin e përbashkët për avansimin e bashkëpunimit në funksion të forcimit të paqes dhe sigurisë.”, thuhet tutje në njoftim.