Personi që dyshohet se shantazhoi një 22-vjeçare me fotografi, duke i marrë para në disa raste dhe duke i kërkuar në fund edhe 3 mijë euro, është kapur pas gati tre muajsh kërkim policor, mëson ekskluzivisht Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se i dyshuari është Arbnor Neziri, 26-vjeçar.
Neziri ishte vënë në kërkim pas denoncimit të bërë më 19 qershor, ndërsa kërkimi për të mori fund më 8 shtator në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, 26-vjeçari është ndaluar gjatë hyrjes në Kosovë.
Pas ndalimit në Aeroport, ai është shoqëruar në stacion policor, ku rreth orës 17:50 është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit, në prani të avokatit mbrojtës.
Neziri dyshohet se kishte kontaktuar 22-vjeçaren pasi fillimisht e kishte takuar si klient në vendin e saj të punës në Veternik.
Sipas denoncimit të viktimës, ai më pas dyshohet se e kishte shantazhuar me fotografi, duke e kërcënuar se për to do ta njoftonte familjen e saj.
E reja pretendon se i kishte dhënë në tri raste 180 euro, 290 euro dhe 1 mijë euro, ndërsa më pas i dyshuari dyshohet se i kishte kërkuar edhe 3 mijë euro të tjera.
Përmes WhatsApp-it, sipas deklaratës së saj, ai dyshohet se e kishte paralajmëruar se nëse nuk paguante, materialin do t’ua dërgonte personave të tjerë.
Sinjali mëson se komunikimi i regjistruar mes tyre pritet të përdoret si provë në hetimin e rastit.
Pas intervistimit të Nezirit, Prokurori ka urdhëruar inicimin e rastit për “Shantazh”, ndërsa ndaj 26-vjeçarit është marrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh.
Hetimet po vazhdojnë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.