Sinjali raportoi sot ekskluzivisht për aksionin policor në Prizren, ku një kontroll rutinor i një veture Mercedes-Benz çoi në zbulimin e kokainës dhe më pas në bastisjen e shtëpisë së të dyshuarit.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se personi që përfundoi në ndalim është Valdrin Kryeziu, 32-vjeçar.
Gjithçka nisi më 17 gusht, rreth orës 05:30, në rrugën “Gani Saramati”, kur policët ndaluan Mercedesin dhe vërejtën pluhur të bardhë te këmbët e shoferit. Kontrolli që pasoi rezultoi me sekuestrimin e 0.72 gramëve substancë të dyshuar kokainë, një peshore elektronike, një detektor dhe një palë dylbi.
Dyshimet e ngritura aty i çuan hetuesit edhe në shtëpinë e Kryeziut.
Gjatë kontrollit aty u gjetën edhe 7.26 gramë substancë e dyshuar marihuanë, dy gëzhoja, pesë fishekë, dy peshore elektronike, një pushkë ajrore “Hatsan Striker” 5.5 mm pa numër serik dhe një këllëf pistolete.
Rasti më pas kaloi për hetim te Njësia e DHTN-së në Prizren, ndërsa Kryeziu, pas intervistimit, u ndalua për 48 orë me vendim të Prokurorit të Shtetit.
Ndaj tij po hetohen dyshimet për posedim të paautorizuar të narkotikëve dhe posedim të paautorizuar të armëve.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.