Sinjali raportoi për rastin e rëndë të iniciuar si “Sulm seksual” në Ferizaj, ku një vajzë 14-vjeçare dyshohet se është prekur pa pëlqimin e saj nga një 44-vjeçar gjatë udhëtimit me veturë.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se i dyshuari është Shpëtim Rama, i cili është arrestuar nga Policia dhe, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar për 48 orë.

Sipas informacioneve që ka mësuar Sinjali, e mitura ka deklaruar se 44-vjeçari prej disa muajsh i kishte shkruar në rrjete sociale dhe i kishte kërkuar të dilte me të, por ajo nuk kishte pranuar.

Natën e 16 gushtit, pasi 14-vjeçarja kishte mbetur pa transport për t’u kthyer në shtëpi, kishte kërkuar nga Rama që ta merrte me veturë dhe ta dërgonte në shtëpi.

Gjatë udhëtimit, sipas deklarimit të viktimës, Rama dyshohet se i kishte kërkuar të shkonin në hotel. Pasi ajo kishte refuzuar, ai dyshohet se kishte filluar ta prekte në këmbë dhe në pjesën e kofshës, pa pëlqimin e saj.

E frikësuar, e mitura kishte kërkuar që të ndalonin te “Hib Petrol” në fshatin Bibaj, me arsyetimin se duhej të shkonte në tualet. Aty ajo ka arritur të kërkojë ndihmë nga një qytetar dhe më pas të njoftojë Policinë.

Njësitet policore kanë reaguar dhe në lokacion kanë hasur edhe veturën me të cilën po udhëtonin, si dhe të dyshuarin, i cili është arrestuar.

14-vjeçarja ka pranuar trajtim mjekësor dhe është intervistuar në praninë e zyrtares së Qendrës për Punë Sociale, ndërsa më pas është kthyer në shtëpi së bashku me babain e saj.

Rama, ndërkaq, gjatë intervistimit ka shfrytëzuar të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje.

Me urdhër të Prokurorit kujdestar për të mitur, ndaj tij është iniciuar rasti “Sulm seksual” dhe është caktuar ndalimi prej 48 orësh në Qendrën e Ndalimit në Ferizaj.

Hetimet Rajonale po vazhdojnë trajtimin e rastit.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.