Një zhvillim i ri është shënuar në hetimet për rastin e njohur si “Grupi i Intelektualëve”, që lidhet me ngjarjet e 19 prillit 1999 në Kalludër të Vogël të Zubin Potokut, ku viktima figurojnë 23 civilë shqiptarë.
Sinjali ka mësuar identitetin e personit të ndaluar në Pikën Kufitare në Bërnjak.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se bëhet fjalë për Momir Radenković, i lindur në vitin 1961, i cili ishte evidentuar paraprakisht në STOP LISTË nga hetuesit e Sektorit për Hetimin e Personave të Zhdukur Gjatë Luftës, në kuadër të Drejtorisë së Hetimit të Krimeve të Luftës.
Pas ndalimit në Bërnjak, Radenković është shoqëruar në zyrat e Drejtorisë së Hetimit të Krimeve të Luftës, ku fillimisht është intervistuar në cilësinë e dëshmitarit, lidhur me rastin që u arrestua.
Por pas intervistimit, statusi i tij procedural ka ndryshuar.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, për rastin është njoftuar Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, si dhe Prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.
Me autorizimin e këtij të fundit, Radenković është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit për veprën penale “Moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre”.
Pas përfundimit të veprimeve procedurale, Prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë ka nxjerrë aktvendim për ndalimin e tij për 48 orë.
Hetimet ku është evidentuar Radenković lidhen me rastin e njohur si “Grupi i Intelektualëve” dhe me 23 civilët shqiptarë të evidentuar si viktima në ngjarjet e 19 prillit 1999 në Kalludër të Vogël.
Hetimet për rastin po vazhdojnë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.