Një rast tejet i rëndë i dyshuar për ngacmim seksual ndaj një fëmije ka tronditur Prishtinën, ndërsa pas veprimeve hetimore është identifikuar dhe ndaluar një 67-vjeçar.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se bëhet fjalë për Agim Memetin, i cili dyshohet se më 14 shtator iu vu pas një 9-vjeçareje pasi ajo kishte dalë nga Shkolla e Muzikës “Prenk Jakova”.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, e mitura, në praninë e prindit dhe para përfaqësuesve të Qendrës për Punë Sociale, ka deklaruar se një burrë i moshuar e kishte ndjekur, e kishte pyetur për emrin dhe më pas dyshohet se e kishte kapur dhe puthur pa dëshirën e saj.

Rasti është raportuar po atë ditë dhe menjëherë kanë nisur veprimet hetimore.

Hetuesit kanë siguruar edhe pamjet e kamerave të sigurisë, në të cilat, sipas burimeve të Sinjalit, i dyshuari shihet duke e përcjellë vajzën.

Pas veprimeve operative, Memeti është identifikuar dhe ndaluar më 15 shtator.

Me urdhër të Prokurores kujdestare, ai është dërguar fillimisht për ekzaminim në Klinikën e Psikiatrisë dhe më pas në Qendrën e Mbajtjes.

Ndaj tij është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa rasti po trajtohet nën dyshimin për veprën penale “Ngacmimi seksual”.

Për shkak se viktima është fëmijë, Sinjali nuk do të publikojë asnjë të dhënë që mund të çojë në identifikimin e saj.

Hetimet për zbardhjen e plotë të rastit po vazhdojnë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.