Protestat e 16 shtatorit në Prishtinë kanë prodhuar edhe raste penale, ndërsa një 32-vjeçar është arrestuar nën dyshimin se ka hedhur shishe Molotovi në drejtim të objektit të EULEX-it.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se bëhet fjalë për Betim Malokun, 32-vjeçar, i cili është arrestuar pas incidentit të raportuar rreth orës 00:05 të 17 shtatorit, në rrugën “Lidhja e Pejës”.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, Maloku dyshohet se ka hedhur një shishe Molotovi drejt objektit të EULEX-it, me ç’rast objekti ka marrë flakë.

Njësitet përkatëse kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa 32-vjeçari është arrestuar dhe më pas është intervistuar në praninë e avokatit mbrojtës.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se gjatë intervistimit ai ka pranuar veprimin për të cilin dyshohet.

Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, ndaj Malokut është iniciuar rast për veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”.

Me vendim të Prokurorit, ai është ndaluar për 48 orë dhe është dërguar në Qendrën e Ndalimit.

Por ky nuk është rasti i vetëm që po hetohet në lidhje me zhvillimet te objekti i EULEX-it.

Një rast tjetër është iniciuar për dëmtimin e objektit gjatë protestës, kur një pjesë e turmës dyshohet se ka shkaktuar dëme materiale.

Për këtë rast, personat e dyshuar ende nuk janë identifikuar, ndërsa hetuesit po punojnë për identifikimin dhe lokalizimin e tyre.

Hetimet për të dy rastet po vazhdojnë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.