Gazeta Sinjali raportoi më herët për arrestimin e një personi me inicialet S.Q. në Prizren, nën dyshimin se për më shumë se një vit ka shantazhuar dhe ngacmuar një grua, duke arritur t’i marrë deri në 50 mijë euro.
Sinjali mëson se ekskluzivisht i dyshuari është Skender Qengaj.
Qengaj është arrestuar në flagrancë pas veprimeve hetimore të ndërmarra nga Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe përmes aplikimit të masave të veçanta hetimore.
Sipas Prokurorisë, nga qershori i vitit 2025 deri më 13 gusht 2026, ai dyshohet se përmes rrjeteve sociale dhe komunikimeve në WhatsApp e ka kërcënuar të dëmtuarën me publikimin dhe dërgimin te familjarët e saj të materialeve që pretendonte se do t’ia cenonin nderin dhe autoritetin.
Në këmbim të mospublikimit të tyre, Qengaj dyshohet se ka kërkuar para, duke arritur të përfitojë deri në 50 mijë euro.
Sipas hetimeve, e dëmtuara një pjesë të parave dyshohet se i kishte siguruar edhe përmes shitjes së arit të marrë nga nëna dhe familjarët e saj, me qëllim që t’i përmbushte kërkesat e të dyshuarit.
Prokuroria thotë se i dyshuari kishte vazhduar edhe me komunikime të padëshiruara dhe kërcënuese, duke i shkaktuar viktimës frikë dhe shqetësim të madh emocional për veten dhe familjen e saj.
Në kuadër të operacionit janë sekuestruar 21 mijë e 100 euro, një veturë dhe dy telefona celularë.
Qengaj është ndaluar për 48 orë nën dyshimin për veprat penale “Shantazhi” dhe “Ngacmimi”, ndërsa Prokuroria ka bërë të ditur se brenda afatit ligjor do të vlerësojë paraqitjen e kërkesës për caktimin e masës së sigurisë.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë duke vazhduar.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.