Policia ka zhvilluar më 8 tetor një aksion në rrugën “Lekë Dukagjini” në Ferizaj, ku gjatë kontrollit të një shtëpie janë gjetur substancë e dyshuar narkotike, para të gatshme dhe pajisje të tjera.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se i dyshuari është Blend Sadiku, ndaj të cilit është zbatuar një urdhëresë e Gjykatës Themelore në Ferizaj.
Kontrolli është kryer në shtëpinë e tij, objektet përcjellëse, një veturë dhe një motoçikletë.
Gjatë kontrollit, në një palë atlete pranë hyrjes së shtëpisë, janë gjetur disa paketime me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, janë sekuestruar 19 qese me rreth 19.20 gramë marihuanë, si dhe një qese tjetër me rreth 1.90 gramë.
Po ashtu, Policia ka konfiskuar 963.80 euro, 700 lekë të Shqipërisë, tre telefona – iPhone 17, iPhone 13 dhe iPhone 12 – një USB, një mbushës telefoni dhe një thikë me mbishkrimin “Boker”.
Vlera e substancës së dyshuar narkotike në treg është vlerësuar rreth 200 euro.
Pas intervistimit, Blend Sadiku është ndaluar për 48 orë.
Rasti po hetohet për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.