Prokuroria Themelore në Gjilan ka dhënë detaje të reja për vrasjen e dyfishtë që ndodhi të premten në Livoç të Ulët, ku u vranë Nafije Bogujevci dhe vëllai i saj, Egzon Bogujevci, ndërsa u plagos Mazllum Bogujevci, emra të raportuar ekskluzivisht nga Gazeta Sinjali. Për rastin dyshohet Valon Ramushi, 38-vjeçar, bashkëshorti i Nafijes.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, Valon Ramushi dyshohet se ka vrarë bashkëshorten e tij, Nafije Bogujevci, 27-vjeçare, dhe vëllain e saj, Egzon Bogujevci, 31-vjeçar, si dhe ka plagosur Mazllum Bogujevcin, 48-vjeçar, djalin e xhaxhait të bashkëshortes së tij.

I dyshuari është ndaluar për veprat penale “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Prokuroria ka bërë të ditur se krimi dyshohet të jetë kryer me një armë të tipit “Beretta”, për të cilën leja kishte skaduar. Pas ngjarjes, autoritetet kanë kryer kontrolle në tri lokacione që lidhen me pronat e Valon Ramushit, ku kanë sekuestruar prova materiale.

Në njoftimin e Prokurorisë thuhet gjithashtu se Valon Ramushi nuk ka të kaluar kriminale dhe se ndaj tij nuk ka pasur raste të raportuara për dhunë në familje.