Një kosovar i kërkuar ndërkombëtarisht është ekstraduar nga Franca në Kosovë dhe është dërguar menjëherë në vuajtje të dënimit.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se bëhet fjalë për Lulzim Demirin, 33-vjeçar, ndaj të cilit ekzistonte kërkesë për ekstradim nga autoritetet kosovare.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, Demiri ishte në kërkim ndërkombëtar me kërkesë të Gjykatës Themelore në Ferizaj, pasi ishte dënuar me 4 vjet burgim për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Më 17 shtator, autoritetet kompetente janë njoftuar për realizimin e ekstradimit të tij nga Franca në Kosovë.
Demiri ka arritur në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” rreth orës 00:30, nën shoqërimin e zyrtarëve të ILECU-së.
Pas përfundimit të procedurave në Aeroport, ai është marrë nga njësitet kompetente dhe është dërguar në Qendrën e Paraburgimit në Hajvali për vuajtjen e dënimit.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.