Një rast i rëndë i dhunës në familje është raportuar në Komoran, ku një 44-vjeçar dyshohet se, pasi kishte konsumuar alkool, ka sulmuar fizikisht bashkëshorten dhe dy vajzat e tij të mitura, e më pas ka tentuar t’ia vërë flakën shtëpisë, mëson Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se i dyshuari është M.C. 44-vjeçar, ndërsa viktima janë bashkëshortja e tij, M.C. 42-vjeçare, dhe dy vajzat e tyre të mitura, M.C. 17-vjeçare dhe E.C. 14-vjeçare.

Rasti dyshohet se ka ndodhur më 15 gusht, rreth orës 02:30, ndërsa mëngjesin e 16 gushtit gruaja ka dhënë deklaratë lidhur me atë që kishte ndodhur brenda shtëpisë së tyre.

Sipas informacioneve që ka mësuar Sinjali, gruaja ka deklaruar se bashkëshorti i saj, pasi kishte konsumuar alkool, kishte nisur ta godiste me grushte në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar lëndime.

Por dhuna dyshohet se nuk është ndalur me kaq.

44-vjeçari dyshohet se ka sulmuar edhe dy vajzat e tij të mitura, të cilat po ashtu kanë pësuar lëndime trupore. Sipas të dhënave të rastit, të miturat nuk kanë kërkuar trajtim mjekësor.

Pas sulmit ndaj familjarëve, M.C. dyshohet se ka demoluar orenditë e shtëpisë dhe më pas ka tentuar t’i vërë flakën objektit.

Nga flakët është dëmtuar dera hyrëse, ndërsa disa rroba janë nxjerrë nga familjarët në oborr, për të parandaluar përhapjen e zjarrit dhe përfshirjen e shtëpisë nga flakët.

Gjatë tentativës për ndezjen e zjarrit, edhe vetë i dyshuari ka pësuar djegie në duar. Ai është dërguar fillimisht në QKMF në Drenas për trajtim mjekësor.

Pas përfundimit të procedurave, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj tij është iniciuar rasti për “Dhunë në familje”, ndërsa M.C. është ndaluar për 48 orë.