Një natë ka mjaftuar që një depo pranë një shtëpie në fshatin Dren të Zubin Potokut të bëhet cak i hajnave, të cilët janë larguar me një arsenal të vogël mjetesh pune.

Rasti është zbuluar mëngjesin e 22 gushtit, kur pronari ka kuptuar se gjatë natës persona të panjohur kishin depërtuar me forcë në objektin përcjellës pranë shtëpisë së tij.

Sinjali mëson se viktima është M. Mutavdzic, 53 vjeçar, i cili rreth orës 10:30 ka kontaktuar Policinë dhe ka raportuar vjedhjen.

Sipas të dhënave të rastit, autorët dyshohet se kanë vepruar diku ndërmjet orës 21:00 të mbrëmjes së 21 gushtit dhe orës 09:00 të mëngjesit pasues.

Kur janë futur brenda, nuk janë larguar duarbosh.

Nga depoja janë zhdukur një motosharrë për prerjen e druve, dy akumulatorë, gërshërë për krasitjen e pemëve, një makinë shpuese dhe një trimer për kositjen e barit.

Pronari ka vlerësuar dëmin në rreth 400 deri në 500 euro.

Pas denoncimit, njësitë policore kanë dalë në vendngjarje dhe kanë ndërmarrë veprimet e para hetimore, ndërsa viktima është intervistuar lidhur me rastin.

Për ngjarjen është njoftuar edhe Prokurori i Shtetit, me urdhër të të cilit është hapur rast për “Vjedhje të rëndë”.

Për momentin, hajnat ia kanë dalë të largohen pa u identifikuar. Policia ende nuk ka person të dyshuar, ndërsa rasti i është kaluar hetuesve për zbardhje të mëtejshme.