Një rast jashtëzakonisht i rëndë është denoncuar në Lipjan, ku një nënë është paraqitur në Polici së bashku me vajzën e saj të mitur dhe ka deklaruar se e bija dyshohet se ishte viktimë e dhunimit, raporton ekskluzivisht Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se personi ndaj të cilit janë ngritur dyshimet është Eroll Danqi, 20-vjeçar, i cili pas intervistimit është ndaluar me vendim të Prokurorit të Shtetit.

Për shkak se rasti përfshin një të mitur dhe ka të bëjë me një vepër penale kundër integritetit seksual, Sinjali nuk do të publikojë identitetin e viktimës dhe as të dhëna të tjera që mund të çojnë në identifikimin e saj.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, denoncimi është bërë më 29 gusht, rreth orës 19:40, kur nëna është paraqitur në Stacionin Policor në Lipjan së bashku me vajzën e saj.

Para zyrtarëve policorë, ajo ka deklaruar se vajza e saj dyshohet se ishte dhunuar rreth dy javë më parë dhe si person të dyshuar ka identifikuar 20-vjeçarin Eroll Danqi.

Pas denoncimit, Policia ka ndërmarrë veprimet përkatëse, ndërsa Danqi është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit, në praninë e avokatit të tij mbrojtës.

Për rastin është njoftuar edhe Prokurori kujdestar.

Bazuar në të dhënat fillestare dhe pas konsultimit me Policinë, Prokurori ka urdhëruar që rasti të iniciohet për veprën penale “Dhunimi”, ndërsa ndaj Danqit është marrë vendim për ndalim prej 48 orësh.

Hetimet tashmë pritet të fokusohen në sqarimin e rrethanave në të cilat pretendohet se ka ndodhur ngjarja dhe verifikimin e plotë të pretendimeve të paraqitura në denoncim.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.