Forca e Sigurisë së Kosovës do të marrë pjesë në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza.

Marrëveshja e participimit është nënshkruar ndërmjet përfaqësuesve të Bordit të Paqes dhe ISF Gaza, si dhe komandantit të FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari.

Ceremonia u zhvillua gjatë vizitës zyrtare në Kosovë të komandantit të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza, gjeneralmajor Jasper Jeffers, në prani të ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, dhe përfaqësuesit të Bordit të Paqes.

Jeffers vlerësoi vendimin dhe gatishmërinë e Kosovës për të kontribuar në këtë mision, duke theksuar rëndësinë e angazhimit të FSK-së në përpjekjet për paqe, siguri dhe stabilitet.

Ai shprehu mirënjohje për udhëheqjen e Kosovës dhe përkushtimin e institucioneve të saj në mbështetje të misionit.

Nga ana tjetër, Jashari deklaroi se pjesëmarrja e FSK-së në misionet ndërkombëtare të sigurisë është pjesë e vizionit të Kosovës për të dhënë kontribut konkret në promovimin e paqes dhe sigurisë në botë.

Sipas tij, FSK-ja synon ta rrisë vazhdimisht kontributin në sigurinë ndërkombëtare, me objektivin strategjik që Kosova të kalojë nga një importuese në një eksportuese të sigurisë.

FSK-ja e ka cilësuar nënshkrimin e marrëveshjes si një hap të rëndësishëm në forcimin e rolit të Kosovës në përpjekjet ndërkombëtare për paqe, siguri dhe stabilitet.