Një hetim për grabitje në Prishtinë ka marrë krejt tjetër drejtim, pasi Policia ka hasur në mesazhe me përmbajtje të dyshuar shantazhuese gjatë kontrollit të një banese në rrugën “Holger Petersen”.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se gjithçka nisi më 10 shtator, rreth orës 19:15, kur Policia ndaloi dy shtetas turq, Efe Yetisen dhe Serhat Dinler, nën dyshimin për përfshirje në veprën penale “Grabitja”.
Gjatë zgjerimit të hetimeve, si i dyshuar në të njëjtin rast rezultoi edhe Ali Hasan Kurt, po ashtu shtetas i Turqisë.
Policia më pas ka kryer kontroll në vendbanimin e tij në rrugën “Holger Petersen”, ku është hasur edhe një tjetër shtetas turk, Burak Yilmaz.
Pikërisht gjatë këtij kontrolli hetimi mori një kthesë të re.
Hetuesit e Njësisë së Hetimeve të Përgjithshme, së bashku me hetuesit e Krimeve Kibernetike, kanë vërejtur disa pajisje elektronike të hapura, ku janë hasur mesazhe me përmbajtje që kanë ngritur dyshime për kryerjen e veprës penale “Shantazhi”.
Sipas dyshimeve fillestare, veprimtaria është zhvilluar nga territori i Kosovës, ndërsa cak kanë qenë shtetas të Turqisë.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, në cilësi të provave materiale janë sekuestruar gjithsej 11 pajisje elektronike, përkatësisht një kompjuter, një laptop dhe nëntë telefona mobilë.
Të dyshuarit janë intervistuar në praninë e avokatëve mbrojtës.
Pas përfundimit të procedurave fillestare, me urdhër të prokurorit kujdestar të Departamentit të Përgjithshëm, ata janë liruar në procedurë të rregullt.
Hetimet tashmë janë zgjeruar edhe në drejtim të veprës penale “Shantazhi”, ndërsa ekzaminimi i pajisjeve të sekuestruara pritet të zbardhë më shumë rreth natyrës dhe përmasave të dyshuara të rastit.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.