Një grua ka humbur jetën dhe bashkëshorti i saj është plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri në fshatin Kërvasari të Malishevës.
Rastin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Gjakovës, Vlera Krasniqi.
Sipas Policisë, rasti ka ndodhur të dielën, më 23 gusht rreth orës 23:20, kur Policia është njoftuar për një plagosje me armë zjarri.
Njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku në një dhomë gjumi kanë gjetur dy persona, një çift bashkëshortor të plagosur nga arma e zjarrit.
Të shtëna me armë në Malishevë, dyshohet për viktima
Të dyshuarve u është ofruar ndihma e parë mjekësore, ndërsa më pas janë dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Në vendin e ngjarjes, Policia ka gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri, e cila dyshohet se është përdorur në rast.
Rreth orës 01:10, Policia është njoftuar nga QKUK-ja se viktima femër, e moshës madhore ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra.
Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori i shtetit, me vendimin e të cilit rasti është iniciuar si “Vrasje e rëndë”.
Ndërkohë, hetimet lidhur me rrethanat e rastit janë duke vazhduar.