Një 17-vjeçar është përfshirë në një incident me zyrtarët policorë mbrëmjen e së martës në Ferizaj, pasi u ndalua derisa po drejtonte një skuter, mëson Sinjali.
Rasti ka ndodhur më 11 gusht, rreth orës 23:15, në rrugën “Gjon Sereqi”, ku pjesëtarët e Njësisë së Reagimit të Shpejtë, në kuadër të një plani operativ, kanë ndaluar një skuter për kontroll.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se drejtuesi ishte një i mitur, A.D., 17 vjeçar.
Gjatë kontrollit, i mituri nuk ka pasur dokument identifikimi, por vetëm dokumentin doganor të skuterit. Policët i kanë kërkuar dokumentacion shtesë për identifikimin e tij, por sipas informacioneve të rastit, ai nuk ka bashkëpunuar.
Situata më pas ka eskaluar.
17-vjeçari dyshohet se ka bërë vazhdimisht lëvizje që policët i kanë konsideruar të dyshimta dhe nuk u është bindur urdhrave që të ndalonte, me ç’rast është arrestuar.
Sipas raportit, gjatë arrestimit ai dyshohet se u është drejtuar tre zyrtarëve policorë edhe me fjalë kanosëse.
Në rast janë përfshirë Hetimet Rajonale, ndërsa është kontaktuar Prokurori kujdestar për të mitur.
Me udhëzim të Prokurorit, ndaj të miturit është iniciuar rasti për “Pengim të personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”, ndërsa pas procedurave ai është liruar në procedurë të rregullt.
Rasti i është referuar Hetimeve Rajonale për veprime të mëtejshme.