Fatmir Balaj është një nga zyrtarët policorë që prej vitesh shërben në Policinë e Kosovës, ndërsa emri i tij është përmendur në dy momente të ndryshme të historisë së protestave në vend.
Në vitin 2005, Balaj ishte pjesë e Policisë së Kosovës në kohën kur Albin Kurti, atëherë aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, u arrestua gjatë një proteste në Prishtinë kundër UNMIK-ut.
Më 19 tetor 2005, Vetëvendosje kishte organizuar protestën me moton “Jo negociata, Vetëvendosje”, ndërsa Policia kishte arrestuar Kurtin dhe mbi 30 aktivistë të tjerë pas përshkallëzimit të situatës.
Gati 21 vjet më vonë, Balaj është sërish në një situatë proteste, por këtë herë në një tjetër rol dhe përballë një realiteti krejt tjetër politik.
Të hënën mbrëma, ai ishte në mesin e zyrtarëve që udhëhiqnin operacionin e Policisë së Kosovës pranë institucioneve të shtetit, gjatë protestës në sheshin “Skënderbeu”.
Protesta, e cila kishte nisur 20 ditë më parë në mënyrë të qetë, u tensionua mbrëmjen e 5 tetorit. Protestuesit kërkonin votimin në lexim të dytë të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara, pas aktgjykimit të 16 shtatorit ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Gjatë zhvillimeve, në drejtim të institucioneve dhe zyrtarëve policorë u hodhën mjete piroteknike dhe mjete të forta. Policia ndërhyri me sprej, gaz lotsjellës dhe topin e ujit.
Në anën tjetër, Balaj u pa duke komunikuar me protestues, zyrtarë policorë dhe deputetë. Në një moment, ai u koordinua edhe me deputetin e PDK-së, Rrahman Rama, pas së cilës u largua kordoni policor nga një pjesë e sheshit për t’u mundësuar protestuesve vazhdimi i tubimit.
Balaj është ish-kapiten i Njësisë Speciale Operative, ndërsa në vitin 2024 ishte emëruar komandant i Stacionit Policor “Qendra” në Prishtinë.
Gjatë protestës së djeshme, ai u dëgjua duke u kërkuar protestuesve që të mos kishte persona të maskuar në turmë.
Për Balajn, përfshirja në protesta nuk është diçka e re. Në vitin 2005, ai ishte pjesë e policisë që ndërhyri ndaj protestës së Vetëvendosjes, ku u arrestua edhe Albin Kurti.
Sot, Kurti është kryeministër i Kosovës, ndërsa Balaj vazhdon të shërbejë në Policinë e Kosovës dhe mbrëmë ishte pjesë e strukturës që menaxhoi protestën pranë institucioneve shtetërore.
Karriera e Balajt në Policinë e Kosovës është shoqëruar edhe me vlerësime institucionale. Më 17 shkurt 2023, presidentja Vjosa Osmani e dekoroi me Medalje Presidenciale për kontributin në mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, si dhe angazhimin në luftën kundër krimit të organizuar dhe veprimtarive që cenojnë sigurinë e vendit.
Balaj ka qenë gjithashtu pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Të hënën mbrëma, ai u gjend në anën tjetër të barrikadës përballë disa ish-bashkëluftëtarëve, të cilët po protestonin kundër aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe kërkonin ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.