Këshilli Drejtues i Sindikatës së Policisë së Kosovës ka reaguar pas zhvillimeve të fundit gjatë protestave në Prishtinë, duke dënuar dhunën dhe sulmet ndaj zyrtarëve policorë të angazhuar në terren.

Në mbledhjen e mbajtur sot, Sindikata ka diskutuar situatën e krijuar gjatë protestave dhe angazhimin e policëve në ruajtjen e rendit dhe sigurisë.

SPK ka theksuar se e drejta për protestë, tubim paqësor dhe shprehje të lirë duhet të respektohet dhe të garantohet, por ka bërë thirrje që kjo e drejtë të mos shndërrohet në dhunë ndaj policëve, institucioneve apo qytetarëve.

Sindikata ka dënuar hedhjen e mjeteve piroteknike, mjeteve të forta dhe çdo formë sulmi ndaj zyrtarëve policorë gjatë kryerjes së detyrës.

“Policët e Kosovës nuk janë palë në asnjë debat politik. Ata janë profesionistë të uniformuar, të cilët në këto rrethana kanë për detyrë të zbatojnë ligjin dhe të garantojnë sigurinë e të gjithëve”, thuhet në reagimin e SPK-së.

Sindikata ka shprehur mbështetje për pjesëtarët e Policisë së Kosovës që po angazhohen në terren, duke thënë se ata po kryejnë detyrën për ruajtjen e rendit, institucioneve dhe sigurisë së qytetarëve, përfshirë edhe pjesëmarrësit në protesta.

Në reagim, SPK ka apeluar që dallimet politike dhe qëndrimet individuale të mos përkthehen në përplasje me zyrtarët që kanë për detyrë ruajtjen e rendit.

“Policët janë bijtë dhe bijat tuaja, vëllezërit dhe motrat tuaja”, thuhet më tej në reagim, ku theksohet se shumë prej tyre kanë qenë edhe bashkëluftëtarë dhe sot vazhdojnë t’i shërbejnë vendit.

Sindikata ka rikujtuar gjithashtu se çdo polic i lënduar në kryerje të detyrës është një anëtar familjeje që pret të kthehet shëndoshë e mirë në shtëpi.

Në fund, SPK ka bërë të ditur se do të vazhdojë të qëndrojë pranë zyrtarëve policorë dhe të kërkojë mbrojtjen e të drejtave dhe dinjitetit të tyre profesional, duke insistuar që çdo veprim ndaj policëve të vlerësohet në bazë të ligjit dhe jo për motive politike.