Një përleshje e dhunshme ka ndodhur mbrëmë në një restorant në Shtërpcë, ku pas një konflikti verbal, një shtetas i Maqedonisë së Veriut dyshohet se e ka goditur kamerierin me gotë të qelqtë në pjesën e kokës.

Sinjali mëson se rasti ka ndodhur rreth orës 23:50, në restorantin “Hil”, në Shtërpcë.

Sipas informacioneve të para, pas një debati të shkurtër mes të dyshuarit, Vlatko Kostovski, 37-vjeçar, nga Volkovo e Maqedonisë së Veriut, dhe kamerierit Sava Popovic, po ashtu 37-vjeçar, nga Berevci i Shtërpcës, situata ka eskaluar në përleshje fizike.

Kostovski dyshohet se e ka goditur i pari Popovicin me një gotë të qelqtë në pjesën e tëmthit, ndërsa ky i fundit më pas ia ka kthyer goditjen.

Për shkak të lëndimeve të pësuara, Popovic është dërguar fillimisht në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Shtërpcë, e më pas është transportuar në Graçanicë për trajtim të mëtejshëm mjekësor. Për shkak të gjendjes së tij, policia nuk ka arritur t’ia marrë deklaratën menjëherë.

Edhe i dyshuari është dërguar për trajtim mjekësor, ku i është ofruar ndihma e parë.

Për rastin është njoftuar prokurorja kujdestare Mimoza Syla, me urdhër të së cilës Kostovski është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Rasti po hetohet si “Lëndim i lehtë trupor”.