Të premten rreth orës 23:50, policia në Shtërpcë është njoftuar për një përleshje fizike të ndodhur në një restorant në Shtërpcë, pas një mosmarrëveshjeje ndërmjet dy personave.

Sipas një njofitmi për media thuhet se në bazë të hetimeve fillestare, i dyshuari V.K., 37-vjeçar, shtetas i Maqedonisë së Veriut, dyshohet se gjatë përleshjes e ka goditur me një gotë qelqi personin S.P., 37-vjeçar, shtetas i Kosovës, duke i shkaktuar lëndime trupore.

"Viktima fillimisht është dërguar për trajtim në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Shtërpcë, ndërsa më pas është transportuar në spitalin e Graçanicës për trajtim të mëtejmë mjekësor. Ndërkohë, edhe i dyshuari V.K. është dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Shtërpcë, ku i është ofruar ndihma e parë dhe më pas është shoqëruar në stacionin policor në Shtërpcë", thuhet në njoftim.

Ndërkaq, me vendim të prokurorit të shtetit, i dyshuari V.K. është ndaluar në mbajtje për 48 orë, për procedura të mëtejme hetimore.