Një përleshje e rëndë mes tre të rinjve është raportuar mbrëmjen e 20 shtatorit te “Rrethi me Flamur” në Prishtinë, ku dy prej tyre kanë pësuar plagë nga mjeti i mprehtë.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rasti ka ndodhur rreth orës 19:50, kur Policia është njoftuar për një rrahje në zhvillim.

Pas daljes në vendin e ngjarjes, njësitet policore kanë konstatuar se në përleshje ishin përfshirë tre persona.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, Blend Duraki, 22-vjeçar, drejtues i një Golf 5, kishte pësuar lëndim në këmbën e djathtë, mbi gju. Pas marrjes së ndihmës së parë, gjatë kontrollit atij i është gjetur një thikë në xhepin e majtë të pantallonave.

I përfshirë në rast ka qenë edhe Butrint Gashi, 23-vjeçar, drejtues i një Mercedesi të bardhë, i cili kishte pësuar plagë me thikë në pjesën e majtë të shpinës.

Të dy të lënduarit janë dërguar në QKUK për trajtim mjekësor.

Personi i tretë i përfshirë, Dariel Ahmeti, 24-vjeçar, i cili ndodhej si pasagjer në Mercedes, është shoqëruar në Stacionin Policor Jugu dhe është intervistuar nga hetuesit rajonalë.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësitë e Hetimeve Rajonale, të cilat kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore.

Për rastin janë iniciuar veprat penale “Sulm”, “Lëndim i rëndë trupor” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Me vendim të Prokurorit kujdestar, Blend Duraki është dërguar në ndalim për 48 orë, ndërsa dy të dyshuarit e tjerë janë liruar në procedurë të rregullt.

Rasti mbetet nën hetime.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.