Një përleshje ka ndodhur të enjten rreth orës 21:44 në sheshin “Mehë Uka” në Mitrovicë, ku dy persona kanë pësuar lëndime.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, i cili ka bërë të ditur se një person i dyshuar është identifikuar dhe arrestuar.

“Rreth orës 21:44, është raportuar për një përleshje në Sheshin ‘Mehë Uka’ në Mitrovicë, ku dy persona të moshës madhore kanë pësuar lëndime dhe janë dërguar për tretman mjekësor.

Sipas informatave të para, lëndimet dyshohet se janë shkaktuar nga një mjet i mprehtë. Policia ka identifikuar dhe arrestuar një person të dyshuar.

Hetuesit policorë janë duke vazhduar me veprime hetimore”, ka thënë Zahiti.

Policia po vazhdon hetimet për të sqaruar rrethanat e rastit.