Një përleshje mes dy personave në një lokal në Shtërpcë ka përfunduar me një person të lënduar dhe një tjetër në ndalim policor për 48 orë.
Sinjali mëson se i dyshuari është Dusan Cumpalevic, rreth 20-vjeçar, ndërsa viktima J.P, rreth 31-vjeçar.
Ngjarja ka ndodhur më 9 gusht, rreth orës 01:00, brenda lokalit “Antena Bar” në Shtërpcë.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, mes dy personave fillimisht kishte nisur një debat i shkurtër, i cili më pas kishte eskaluar në shtyrje fizike.
Në një moment, Cumpalevic dyshohet se ka marrë një shishe qelqi të birrës dhe e ka goditur J.P në pjesën e sipërme të kokës, duke i shkaktuar plagë të dukshme.
Kur patrulla policore ka mbërritur në vendin e ngjarjes, viktimën e ka gjetur jashtë lokalit me lëndime në kokë, ndërsa të dyshuarin e ka lokalizuar ende brenda “Antena Bar” dhe e ka arrestuar.
Policia ua ka bërë alkooltestin të dyve. Sipas burimeve, Petkovic ka rezultuar me 0.39, ndërsa Cumpalevic me 0.81. Të dy janë dërguar në Qendrën Shëndetësore në Shtërpcë për trajtimin e lëndimeve.
Për rastin është njoftuar Prokurori kujdestar, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit për “Lëndim të lehtë trupor”.
I dyshuari është ndaluar për 48 orë dhe është dërguar në njësinë e ndalimit në Shtërpcë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.