Një mosmarrëveshje brenda një familjeje në fshatin Kashicë të Istogut ka përfunduar në Polici, ku një 27-vjeçare ka denoncuar vjehrrin e saj për dhunë në familje, mëson Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se viktima është A.Sh. rreth 28-vjeçare, ndërsa si i dyshuar në këtë rast është intervistuar vjehrri i saj, M.J. rreth 30-vjeçar.
Rasti ka ndodhur më 15 gusht, rreth orës 12:00, ndërsa pas informatës së pranuar për dhunë në familje, patrulla policore ka dalë në vendin e ngjarjes dhe palët janë shoqëruar në stacion për intervistim.
Sipas informacioneve që ka mësuar Sinjali, A.Sh. është intervistuar nga hetuesi për dhunë në familje, në praninë e punëtores së Qendrës për Punë Sociale.
Ajo ka deklaruar se mes saj dhe vjehrrit kishte nisur një fjalosje pasi bashkëshorti i saj ka një fëmijë tetëvjeçar nga martesa e parë, i cili do të vinte në familje. Për shkak të kësaj situate, ajo kishte vendosur të largohej dhe të shkonte te familja e saj.
I dyshuari M.J. ka mohuar se kishte tentuar ta godiste nusen. Sipas deklarimit të tij, ai vetëm i kishte thënë se mund të shkonte te familja e saj, por se nuk mund ta merrte me vete djalin tremuajsh.
Edhe dëshmitari i rastit, H.J. rreth 33-vjeçar, ka deklaruar se i dyshuari nuk kishte tentuar ta godiste A.Sh., por ishte ngritur në këmbë i mllefosur dhe i kishte thënë të shkonte ku të dëshironte.
Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, rasti është iniciuar si “Dhunë në familje”, ndërsa M.J. është liruar në procedurë të rregullt.
A.Sh., me dëshirën e saj, është dërguar te familja e saj në fshatin e lindjes.