Përfaqësues të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë përfunduar me sukses Kursin Ndërkombëtar për Nënoficerët e Lartë të Komandës, të mbajtur në Akademinë Ushtarake “Dr. Franjo Tuđman” në Kroaci.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes, në këtë kurs morën pjesë edhe përfaqësues nga 11 shtete të ndryshme.

Ministria ka bërë të ditur se avancimi i edukimit dhe zhvillimi profesional i pjesëtarëve të FSK-së mbeten ndër prioritetet e saj të vazhdueshme.

Pjesëmarrja në programe të tilla ndërkombëtare vlerësohet si mundësi për ngritjen e kapaciteteve profesionale, shkëmbimin e përvojave dhe forcimin e bashkëpunimit me vendet partnere.

Ministria e Mbrojtjes ka uruar pjesëtarët e FSK-së për përfundimin e suksesshëm të kursit dhe përfaqësimin e Republikës së Kosovës në këtë program ndërkombëtar.