Sindikata e Policisë së Kosovës ka përmbyllur turneun sportiv tradicional kushtuar 26 zyrtarëve policorë që kanë rënë në krye të detyrës, duke i nderuar me këtë aktivitet sakrificën e tyre.

Turneu, i cili nisi më 23 tetor 2026, përfshiu gara në futboll, volejboll, shah dhe shenjëtari. Sipas Sindikatës, aktiviteti ndërthur sportin, bashkëpunimin dhe respektin për policët që humbën jetën gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.

Në garat e futbollit, Rison Avdyli u shpall lojtari më i mirë, Admir Vrevic portieri më i mirë, ndërsa Mentor Morina u vlerësua për lojë korrekte (fair play).

Ceremonia përmbyllëse u mbajt në praninë e përfaqësuesve të institucioneve, sindikatave, familjarëve të policëve të rënë dhe zyrtarëve të lartë të Policisë së Kosovës.

Me këtë rast, Sindikata ndau mirënjohje për organizatorët, gjyqtarët dhe sportistët e dalluar, ndërsa fituesit u shpërblyen me medalje dhe kupa për tri vendet e para në disiplinat përkatëse.