Një ndalesë rutinore për përdorimin e telefonit gjatë vozitjes ka përfunduar krejt ndryshe për një 66-vjeçar në Prishtinë. Pas verifikimit nga Policia, rezultoi se ai kërkohej me urdhër-arrest dhe kishte për të vuajtur 250 ditë dënim, raporton Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se bëhet fjalë për A.J., rreth 66-vjeçar.

Gjithçka nisi mbrëmjen e 24 gushtit, rreth orës 20:00, derisa një njësi policore po patrullonte në segmentin e autostradës Bresje–Veternik.

Policët kanë vërejtur një Volkswagen Golf, drejtuesi i të cilit po përdorte telefonin gjatë vozitjes, dhe kanë vendosur ta ndalojnë.

Ajo që dukej si një ndalesë për kundërvajtje në trafik, megjithatë, mori tjetër drejtim sapo policët verifikuan të dhënat e shoferit.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, nga verifikimi rezultoi se ndaj Jeminit ishte aktiv një urdhër-arrest i lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, për ekzekutimin e një dënimi prej 250 ditësh.

Kështu, 66-vjeçari nuk e vazhdoi më rrugën me Golf.

Ai është arrestuar dhe më pas është dërguar në Qendrën e Paraburgimit në Hajvali, për ekzekutimin e urdhëresës së gjykatës.