Policët me motorë kanë dalë në terren në të gjithë rajonin e Ferizajt, duke kontrolluar nga afër shoferët që shkelin rregullat e komunikacionit.

Njësia e Motoçikletave në kuadër të Njësisë së Komunikacionit Rrugor, e cila mbulon Ferizajn, Kaçanikun, Shtimen, Shtërpcën dhe Hanin e Elezit, gjatë javës së kaluar ka shqiptuar 61 tiketa për kundërvajtje në trafik.

Shkeljet kanë qenë të ndryshme, por në mesin e tyre ka edhe raste që përsëriten shpesh në rrugët e Kosovës.

Sipas Policisë, 12 shoferë janë gjobitur për mosrespektim të shenjave të trafikut, ndërsa 8 janë kapur duke përdorur telefonin gjatë vozitjes.

Po ashtu, 7 tiketa janë shqiptuar për mosmbajtje të distancës së sigurisë, ndërsa 5 shoferë kamionësh janë ndëshkuar për shkelje të rregullave të peshores. Për kundërvajtje të tjera janë shqiptuar edhe 29 tiketa.

Njësia e Motoçikletave vazhdon të veprojë në terren me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe rritjes së sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në trafik.

Policia Rajonale e Ferizajt u ka bërë thirrje shoferëve që t’i respektojnë shenjat dhe rregullat e komunikacionit, të mbajnë distancën e sigurisë dhe të mos përdorin telefonin gjatë drejtimit të automjetit.