Policia dhe zjarrfikësit kanë intervenuar të martën në Kaçanik, ku kanë shpëtuar një grua rreth 30-vjeçare, e cila ishte vërejtur duke qëndruar në pjesën e betonuar të një ure.
Sipas Policisë së Kosovës, rasti është raportuar rreth orës 18:20 nga një njësi e Trafikut Rajonal, e cila gjatë patrullimit në rrugën magjistrale kishte vërejtur gruan në afërsi të Fushës së Pajtimit, në rrethana që kishin ngritur dyshime për rrezik të mundshëm ndaj jetës së saj.
Pas marrjes së informacionit, në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë patrullat policore, Njësia e Hetimeve, Njësia e Zjarrfikësve dhe ekipi i Emergjencës.
“Falë reagimit të shpejtë dhe bashkëpunimit ndërinstitucional, rreth orës 18:35 personi është larguar me sukses nga zona e rrezikshme dhe është vendosur në një vend të sigurt, pranë rrethrrotullimit te Fusha e Pajtimit”, thuhet në komunikatën e Policisë.
Ekipi i Emergjencës i ka ofruar ndihmën e nevojshme mjekësore, ndërsa për rastin janë njoftuar edhe prokurori i shtetit dhe Qendra për Punë Sociale.
Sipas Policisë, gruaja nuk kishte familjarë apo persona përgjegjës që të kujdeseshin për të. Policia e Kaçanikut, në bashkëpunim me institucionet përkatëse, ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për trajtimin e rastit dhe strehimin e saj.
Policia ka falënderuar institucionet e përfshira për bashkëpunimin dhe reagimin profesional në këtë rast.