Policia e Kosovës ka vazhduar aksionin në fshatin Dren të Zubin Potokut, në kuadër të veprimeve për trajtimin e informacioneve lidhur me posedimin e armatimit.
Gjatë aksionit të zhvilluar të enjten, më 13 gusht 2026, në këtë zonë është gjetur dhe sekuestruar një armë e gjatë e tipit “AK-47”.
Lajmin e ka konfirmuar për media Erduan Baliqi nga Policia e Kosovës.
“Në fshatin Dren ka vazhduar aksioni i Policisë në kuadër të trajtimit të informacioneve për armatim dhe sot, më 13.08.2026, prapë është gjetur armatim. Është gjetur një armë e gjatë ‘AK-47’. Detaje të tjera në këtë fazë nuk mund të ndajmë për shkak se kjo është pjesë e hetimeve”, ka deklaruar Baliqi.
Policia nuk ka dhënë detaje të tjera lidhur me rrethanat dhe vendin e saktë ku është gjetur arma, duke theksuar se rasti është ende pjesë e procesit hetimor.
Sipas informacioneve të raportuara nga Kallxo, arma është gjetur në afërsi të pronave të Nenad Rashkoviqit, qytetar serb nga kjo zonë, i cili më 11 gusht kishte pretenduar se gjatë bastisjeve në shtëpinë e tij ishte ushtruar dhunë nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
Lidhur me këto pretendime, Inspektorati Policor i Kosovës ka nisur hetime për të sqaruar rrethanat e incidentit.
Në anën tjetër, Policia e Kosovës ka deklaruar se nuk është në dijeni që gjatë bastisjeve të zhvilluara në Dren të jetë përdorur dhunë ndaj Rashkoviqit.
Pas qëndrimit në Spitalin e Mitrovicës së Veriut, Rashkoviq është nisur për trajtim të mëtejshëm në Beograd.
Aksioni policor në Dren është pjesë e një serie veprimesh të ndërmarra nga Policia e Kosovës pas informatave për posedim të armatimit në këtë zonë.
Edhe një ditë më parë, më 12 gusht, Policia e Kosovës kishte njoftuar për gjetjen dhe sekuestrimin e armatimit dhe uniformave ushtarake në zonën e Drenit.
Hetimet për rastet e armatimit janë duke vazhduar, ndërsa Policia e Kosovës ka bërë të ditur se detaje të tjera do të mund të bëhen të ditura në varësi të zhvillimit të hetimeve.