Një kontroll i Policisë së Trafikut në Pejë ka rezultuar me sekuestrimin e një arme dhe municionit, ndërsa ndaj një 45-vjeçari është iniciuar rast për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, mëson Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se i dyshuari është Demir Sadrijaj.

Rasti ka ndodhur më 15 gusht, rreth orës 23:50, në rrugën “UÇK” në Pejë, ku patrulla e Trafikut, gjatë një pike kontrolli, ka ndaluar një veturë me targa të Austrisë, të cilën po e drejtonte Sadrijaj.

Sipas informacioneve që ka mësuar Sinjali, gjatë kontrollit policët e kanë pyetur nëse posedonte diçka ilegale në veturë, ndërsa Sadrijaj u ka thënë se kishte me vete një armë për të cilën posedonte leje.

Ai ua ka dorëzuar menjëherë çantën e brezit ku ndodhej arma.

Brenda saj është gjetur një armë e prodhimit “Mossberg”, një karikator me pesë fishekë të kalibrit 9 mm, si dhe leja e armës.

Në vendngjarje kanë dalë edhe hetuesit, ndërsa arma, karikatori, pesë fishekët dhe leja janë sekuestruar nga Krim-teknika.

Demir Sadrijaj është shoqëruar në Stacionin Policor për intervistim dhe, pas përfundimit të procedurave, me urdhër të Prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

Rasti mbetet nën hetime.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.