Një fotografi e publikuar në TikTok, ku një i ri shihet duke mbajtur dy armë në duar, ka aktivizuar Policinë e Kosovës dhe ka çuar deri te kontrolli i shtëpisë së tij në Vushtrri, mëson ekskluzivisht Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se personi i dyshuar është Atlantik Uka, 26-vjeçar.

Rasti ka nisur më 7 shtator, pasi Policia ka pranuar një informacion përmes aplikacionit mobil “Lajmëro Policinë”, të shoqëruar edhe me dy fotografi.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, në një llogari në TikTok me emrin “Gambino gold01” ishte publikuar një fotografi ku shihej një person me nga një armë në secilën dorë.

Policia ka ndërmarrë veprime hetimore dhe ka arritur ta identifikojë personin që shihej në fotografi.

Me udhëzim të Prokurorit të Shtetit, më pas është kryer kontroll në shtëpinë e të dyshuarit.

Uka nuk është gjetur në shtëpi në momentin e kontrollit, ndërsa aty ndodhej nëna e tij.

Gjatë kontrollit, Policia ka gjetur dhe sekuestruar një gëzhojë të armës së gjatë. Sipas informacioneve të Sinjalit, armët që shihen në fotografinë e publikuar në TikTok nuk janë gjetur gjatë këtij kontrolli.

Rasti po trajtohet si “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve” dhe hetimet po vazhdojnë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.