Një rrahje mes disa personave në fshatin Letanc të Podujevës ka përfunduar me ndërhyrjen e Policisë dhe ndalimin e dy personave, njëri prej të cilëve është i mitur, mëson Sinjali.

Ngjarja ka ndodhur të hënën, më 10 gusht, rreth orës 18:20, ndërsa Policia është njoftuar pak minuta më vonë nga Emergjenca se dy persona kishin kërkuar trajtim mjekësor pasi ishin përfshirë në një përleshje.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se të dyshuarit në këtë rast janë Mirlind Musolli rreth 27-vjeç dhe A.P. rreth 16-vjeç, ndërsa si viktimë figuron F. Ç rreth 27-vjeç.

Pas trajtimit mjekësor, personat e përfshirë janë shoqëruar në stacion policor, ndërsa hetuesit kanë siguruar dhe analizuar pamjet e kamerave nga vendi ku kishte ndodhur rrahja.

Pas shikimit të pamjeve dhe ndërmarrjes së veprimeve hetimore, për rastin janë vënë në dijeni dy prokurore – ajo e Departamentit të Përgjithshëm dhe Prokurorja kujdestare për të Mitur.

Me vendim të Prokurorisë, Mirlind Musolli është ndaluar për 48 orë, ndërsa 16-vjeçari është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit dhe më pas është dërguar në ndalim për 24 orë.

Rasti është iniciuar për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, ndërsa hetimet për rrethanat dhe motivin e përleshjes po vazhdojnë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.