Një përleshje fizike në një market në Obiliq ka përfunduar me lëndimin e një 20-vjeçari dhe ndalimin e dy personave të dyshuar.
Sinjali mëson se të dyshuar janë Fanol Shala, rreth 45-vjeçar dhe Elbasan Shala, rreth 39-vjeçar, ndërsa viktimë e rastit D.K., rreth 20-vjeçar.
Sipas burimeve, ngjarja ka ndodhur pasditen e 4 gushtit, rreth orës 15:05, në Marketin “Vëllezërit Mjekiqi”, në rrugën “Vëllezërit Frashëri” në Obiliq.
Pas raportimit të rastit, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet relevante të Policisë, të cilat kanë takuar viktimën, dy të dyshuarit dhe një dëshmitar. Të gjitha palët janë shoqëruar në stacionin policor për intervistim.
Viktima ka pranuar trajtim mjekësor në QKMF Obiliq, ndërsa sipas raportit mjekësor ka pësuar lëndime të lehta trupore në anën e djathtë të fytyrës.
Me autorizim të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Lëndim i lehtë trupor”, ndërsa Fanol Shala dhe Elbasan Shala janë ndaluar për 48 orë dhe janë dërguar në Qendrën e Mbajtjes. Hetimet lidhur me rastin janë në vazhdim.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.