Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka thënë se përkushtimi i Aleancës për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë do të mbetet i pandryshuar, pavarësisht vendimit që pritet të shpallet në Hagë më 16 shtator.
Rutte i bëri këto deklarata sot në një konferencë për media në selinë e NATO-s në Bruksel, ku u pyet për mundësinë e trazirave pas aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
“Kjo vlen edhe sot, pavarësisht se çfarë lajmesh mund të vijnë këtë javë ose në periudhën e ardhshme”, tha Rutte, duke theksuar zotimin afatgjatë të NATO-s për paqe dhe siguri në Kosovë, Radio Evropa e Lirë, përcjell Sinjali.
Sipas tij, KFOR-i do të vazhdojë të kontribuojë në stabilitet dhe siguri në Kosovë.
Rutte tha se NATO-ja do të vazhdojë ta vlerësojë përbërjen dhe vendosjen e trupave të KFOR-it, në mënyrë që misioni të përshtatet me situatën e sigurisë.
Më 16 shtator, Dhomat e Specializuara në Hagë pritet të shpallin aktgjykimin ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, të cilët janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Vendimi pritet të shpallet në një kohë kur në Kosovë janë paralajmëruar edhe aktivitete dhe protesta lidhur me këtë proces.